BCAA Suplement!

Autor:Irvin Cepa CFT,SFN
Zinxhiri i degëzuar i aminoacideve (BCAA Branched Chain of Amino Acids) është gjerësisht i njohur dhe i përdorur në formë suplementi nga komuniteti i fitnesit. 

BCAA është kombinimi i 3 aminoacideve Leucinë – Valinë – Isoleucinë. Duke qenë se këto aminoacide janë esenciale pra trupi nuk i prodhon atëhere është e rëndësishme që të sigurohen nëpërmjet proteinës nga ushqimi. BCAA janë të rëndësishme pasi përbëjnë 1/3 e proteinës muskulare.

  • Efektet e BCAA

BCAA përdorimin primar e kanë në kurimin mjekësor. Pacientë të cilët vuajnë nga anoreksia, funksion i dobët i trurit si shkak i sëmundjeve të mëlçisë, çrregullim në kontraktim të muskujve dhe mos stabilitet i lëvizjeve, etj suplementohen me BCAA. Dietat nën Kalorike gjithashtu rekomandohet të shoqërohen me BCAA.

Suplementimi me BCAA sjell efekte pozitive gjatë aktiviteteve fizike dhe performimit të programeve stërvitore me intensitet të lartë, pesha maksimale dhe volume të mëdha ushtrimesh. Të gjithë këta elementë kanë të përbashkët stresin e lartë muskular. Ky është momenti kur BCAA hyn në veprim duke rritur sintetizimin e proteinës në qelizat muskulare dhe zhvilluar rritje të tyre! Paralel me këtë proçes zhvillohet edhe mos lejimi i humbjes të masës egzistuese muskulare në qoftë se intensiteti stërvitor është shumë i lartë dhe proçeset katabolike (shkatërruese) rriten në muskuj! 

BCAA duhen konsideruar si efikase në proçesin e sintetizimit të proteinës në muskuj dhe mirëmbajtjen e masës muskulare dhe jo si suplement që rrit energjinë gjatë performimit. Shumë artikuj dhe kompani suplementesh paraqesin BCAA si asistues në rritje energjie por studimet mjekësore në atletë të testuar nuk kanë gjetur rezultate pozitive në rritje të performancës. 

  • Prodhimi i BCAA.

BCAA suplement në formë pudre apo kapsulë është suplementi i cili ze pozicionin e 2-të mbas proteinës suplement në përdorim nga atletët dhe komuniteti i fitnesit. Për të plotësuar këtë kërkesë të lartë të gjitha kompanitë prodhuese të suplementeve ofrojnë produktin BCAA. Konfuzioni është i pashmangshëm për blerësin mes mijëra ngjyrave dhe reklamave mbi “super efektin” e BCAA. Por në qoftë se do keni parasysh disa specifika mbi produktin gjithçka bëhet e lehtë!

  • Përdorimi

Suplementimi me BCAA mund të përdoret si nga meshkujt ashtu edhe nga femrat.

Doza e suplementimit me BCAA për performues ushtrimesh fizike është 4 gram deri 5,5 gram/ 1-3 herë në ditë. E rekomandueshme 30 minuta para ose gjatë sesionit të aktivitetit fizik dhe midis vakteve ushqimore.

  • Raporti L-leucinë, L-valinë, L-isoleucinë 

Raporti optimal kombinimit të L-leucinë – L-valinë dhe L-isoleucinë në një dozë BCAA është 2:1:1. Pra nëse marrim 1 gram BCAA ajo përmban 500 mg L-leucinë, 250 mg L-valinë dhe 250 mg L-isoleucinë. Për shkak se L-leucina është aminoacidi kryesor në sintetizimin e proteinës në muskuj, shumë kompani rritin dozën për efekt marketingu në 4:1:1, 8:1:1, 10:1:1 deri në 12:1:1. Në fakt kjo rritje e raportit është e panevojshme pasi sasia e lartë e L-leucinë nuk sintetizon më tepër proteinë në muskuj, përkundrazi mund të sjellë efekte negative në organizëm. Të tre aminoacidet e integruar me njëri tjetrin ne raportin 2:1:1 kanë efektin optimal.

  • Origjina e BCAA

BCAA derivohen nga flokët e njeriut, pendët e shpendëve, qime të kafshëve kryesisht derrit të butë deri tek jashtëqitjet (glasat) e shpendëve. Gjithashtu aminoacidet sintetike (artificiale) me një kosto të ulët gjenden në treg për konsum. Këto burime derivimi të aminoacideve BCAA zenë përqindjen më të madhe të shitjeve, të favorizuara nga çmim i ulët dhe mos informimi i blerësve. Nëse do kërkoni suplement me cilësi dhe origjinë më të pastër të aminoacideve BCAA atëhere duhet të dini se janë ato të fermentuara nga bimët dhe të çertifikuara si produkte vegjetariane.

Si në çdo artikull informues mbi suplementet duhet theksuar se baza kryesore e energjisë, jetës të shëndetëshme dhe aktivitetit fizik është ushqimi natyral. Suplementet kanë efekt vetëm 1% deri 5% në organizmin dhe performancën tuaj!

Stërvitje të mbarë dhe jetë të shëndetëshme!

Leave a comment