
Foto e përbërë nga 2 imazhe, majtas tregon një trup ku masa dhjamore ka deformuar format dhe djathtas i njëjti trup por që nuk lidhet me të parin nga shaqja perfekte e muskujve.
Këto foto pushtojnë sot rrjetet sociale dhe intrigojnë edhe individin më indiferent ndaj transformimit të trupit! Mbas fotos kureshtja të shtyn të lexosh tekstin dhe intrigimi shkon më tej kur mëson se rezultatet janë arritur në një kohë shumë të shkurtër dhe pse individi para fotos (majtas) nuk ka performua aktivitet fizik asnjë ditë të jetës të tij. Shumë e bukur për të qenë e vërtetë!? Edhe pse mbipesha është arritur duke investuar në ushqim e alkool ndër vite, mund ta heqësh brenda 2 ose maksimumi 3 muajve!? Më vjen keq që ju zhgënjej por duhet të pranoni se heqja e masës dhjamore kërkon kohë, vullnet, disiplinë dhe dedikim.
Cilin opsion zgjedh?
Dy mundësi ofrohen nga dietologët, instruktorët e fitnesit apo dhe nga disa programe fitnesi në internetit:
Opsioni 1- humbje e peshës për një kohë të shkurtër.
Opsioni 2- humbje e peshës graduale për një kohë të gjatë.
Nuk besoj se po mendon të zgjedhësh opsionin 2 dhe kjo ndodh tek të gjithë.
Analizojmë opsionin 1: Ajo fotoja intriguese fsheh disa të vërteta që pjesa më e madhe e individëve të cilët kanë kaluar një regjim diete për rënie të menjëhershme nga pesha nuk e tregojnë ose e fshehin. Gjendja quhet “varja e lëkurës”. Gjatë regjimeve të forta nën Kalorike trupi djeg dhjamin duke rrëzuar mbi 1-2% masë dhjamore në muaj (sasi e kosideruar e shëndetëshme për tu rrëzuar) dhe rënie nga pesha mbi 3-4 kg/muaj (peshë e konsideruar e shëndetëshme për tu rrëzuar). Nga ana tjetër lëkura edhe pse është një veshje super elastike nuk arrin të tërhiqet me të njëjtin intensitet duke mbetur e varur. Pjesët kryesore ku individët pësojnë varjen e lëkurës mbas regjimeve të forta nën Kalorike janë:
- Pjesa e abdomenit (mesi i trupit kryesisht barku).
- Pjesa e gjoksit (tek meshkujt).
- Pjesa e kurrizit. (fund kurrizi)
- Krahët (kryesisht triceps)
- Vithet (tek femrat).
- Pjesa e brendëshme dhe e pasme e këmbëve.

Faktorët që ndikojnë në varjen e lëkurës!
Po marr shembullin e një tullumbaceje të sapo fryrë. Mbas disa minutash e shfryjmë tullumbacen dhe shikojmë se aftësia elastike do ta çojë atë në gjendjen fillestare të pandryshuar. Në të njëjtën kohë do fryjmë një tullumbace tjetër por këtë do ta shfryjmë vetëm mbas disa ditësh. Rezultati këtë herë do të jetë një tullumbace e deformuar dhe e rrudhosur.
Një nga faktorët kryesorë që shkakton varjen e lëkurës është koha. Sa më shumë kohë të keni jetuar mbi peshë aq më graduale duhet të jetë koha e rënies nga pesha.
Faktor tjetër është sa kilogram mbi peshë jeni! Zakonisht individët që janë 14 kg e sipër mbi peshë dhe kanë kohë të gjatë pa performuar aktivitet fizik riskojnë të kenë varjen e lëkurës nëse hyjnë në regjim të fortë nën Kalorik. Peshën 14 kg nuk duhet ta merrni si peshë rreferimi pasi gjenetika luan rolin kryesor dhe është e ndryshme për secilin nga ne. Aktiviteti fizik lidhet ngushtë edhe me moshën. Moshat mbi 40 vjeç jo aktivë kanë riskun më të lartë për të pësuar varjen e lëkurës për shkak të rënies të metabolizmit.
Kur flasim për regjim rënie nga pesha, këtu duhet përfshirë edhe programi i fitnesit. Programet intensive stërvitore të cilat djegin shumë Kalori dhe nuk kanë të përfshirë ushtrimet e rezistencës dhe stimulimit të tensionit muskular shkaktojnë humbje të shpejtë të peshës të trupit.
Si të shmangim varjen e lëkurës!
Gjendja e varjes të lëkurës është një nga gjendjet më frustruese për individët që kanë përfunduar regjimin e dietave nën Kalorike. Zhgënjimi që pësohet në disa raste kalon në ndikim psikologjik dhe individi gjen si zgjidhje ri vendosjen e peshës të humbur për të eleminuar varjen e lëkurës. Kjo situatë kërkon urgjentisht jo vetëm konsultën me dietolog e instruktor fitnesi por edhe psikolog e mjek. Një metodë tjetër është ndërhyrja me operacione plastike por kjo merret në kosideratë për individë obezë të kategorisë lI të cilëve mbi pesha ju rrezikon jetën.
I dashur lexues në qoftë se mendove që opsioni 2 nuk u analizua, këtu fillon shpjegimi; Një rënie graduale nga pesha e shoqëruar me program fitnesi për rritje të masës muskulare ështe zgjidhja e problemit të diskutuar në këtë artikull. Koha graduale e rënies nga pesha do të lejojë lëkurën të tërhiqet mbas trupit. Gjithashtu programi i fitnesit do rritë masën muskulare duke tërhequr më shumë lëkurën. Ky proçes i shoqëruar me dietë të pasur me vitamina dhe minerale, me yndyrna të shëndetëshme si avakado, vaji i ullirit, etj, proteina, sheqerna e fibër të marrë nga fruta e perime do të rezultojë në rënie nga pesha në mënyrën e duhur dhe pa efekte negative.
Dietë të mbarë!
