Pesha Ideale!

Autor:Irvin Cepa CFT,SFN

Peshën ideale e gjeni jo në një por në disa shifra, duke shtuar konfuzionin se cila prej tyre është e sakta! Shifra të ndryshme vijnë në bazë të ekuacioneve të ndryshme që aplikohen dhe marrin në konsideratë gjatësinë, tipin e trupit dhe moshën. Me gjithë formulat, ekuacionet dhe tabelat që për shekuj me rradhë kanë konkurruar se cila është më e sakta përsëri pesha ideale mbetet e diskutueshme.

Pesha nuk përcakton simetrinë trupit tonë. 

Shembulli është një atlet (bodybuilder) i cili ka peshë më të madhe se sa një individ obez edhe pse duket më i vogël në volumin trupor. Kjo për arsye sepse muskujt peshojnë më shumë se dhjami. Gjithashtu skeleti, densiteti i kockave dhe pesha e tyre është e ndryshme në individë të ndryshëm.
Pesha ideale është bazuar në statistikat e vdekshmërisë. Duke ruajtur peshën në vlerën “ideale” është parë që individët jetojnë më të shëndetshëm dhe më gjatë.

  • Llogaritja e Peshës Ideale!

Një nga metodat e thjeshta për të përcaktuar peshën ideale të secilit është:

Pesha ideale maksimale (PImax) është kthimi në kilogram i numrit të centimetrave të gjatësisë tuaj mbi 1 metër.

Shembull: Gjatësia 165 cm, PImax = 65 kg. Zbrisni 6 kg nga PImax dhe arrini peshën ideale minimale (PImin).

Shembull: 65 kg – 6 kg = 59 kg PImin.

Çdo shifër që peshorja do të tregojë midis vlerave të PImax dhe PImin është pesha tuaj ideale.

  • Si dhe kur të peshoheni!

Për të përcaktuar peshën tuaj reale më i përshtatshëm është mëngjesi. Kur ngriheni nga gjumi dhe pasi kryeni nevojat fiziologjike, hipni në peshore. Vlera që peshorja tregon është pesha tuaj e saktë. Ky është momenti më i përshtatshëm pasi trupi ka përfunduar tretjen e ushqimit. Lëvizja, lloji i ushqimit që hani, sasia e ujit që pini, etj, janë faktorë që ndikojnë në peshë. Nëse do të peshoheni disa herë gjatë ditës do të shikoni se pesha tuaj do të luhatet 0,5 deri 3 kg nga pesha e mëngjesit.

Përdorni të njëjtën peshore dhe peshohuni 1 herë në çdo 1-2 javë.  Palestrat dhe qendrat e biznesit mund ti shmangin si investim peshoret. Investimin duhet ta bëni ju.

  • Mbipesha dhe nënpesha. 

Për sa kohë luhatja e peshës tuaj varion midis PImax dhe PImin trupi tuaj ka peshën ideale. 

Mbipesha ka pasojat negative që nga zhvillimi i diabetit, sëmundje kardiovaskulare, dhimbjet e gjunjëve dhe mesit, vështirësi në frymëmarrje, etj. Gjithashtu pesha e ulët ose nënpesha (kryesisht e ndeshim tek femrat) është gjendja e cila ndikon negativisht në sistemin hormonal, sistemin riproduktiv (seksual), uljen e metabolizmit deri në anoreksi. Dietat ushqimore me Kalori të ulta dhe rënia nga pesha në kohë të shkurtër shfaqin probleme me gjendrën tiroide, stresin, pagjumësinë e keqfunksionim e sistemit tretës.

  • Rëndësia e peshës ideale.

Të jeni brenda peshës tuaj ideale është e shëndetëshme dhe trupi tuaj do jetë energjik gjatë gjithë ditës. Më lart lexuat që pesha nuk përcakton simetrinë e trupit tonë dhe rasti ishte krahasimi i peshës të atletit me atë të individit obez! Në qoftë se ju keni zgjedhur stilin e jetës aktive dhe të shëndetëshme, po frekuentoni palestrën dhe programi tuaj stërvitor përmban rezistencë kardiovaskulare e ngritje peshash atëhere ju po rritni masën tuaj muskulare. Në këtë rast peshorja do të tregojë shifra të cilat janë mbi llogaritjet e peshës ideale por pasqyra tregon një trup simetrik të bukur dhe muskuj të shfaqur. Përmbajuni pasqyrës dhe harrojeni peshoren. Ju keni peshë të shtuar nga motorë aktivë që quhen muskuj.

Kombinoni aktivitetin fizik me dietën ushqimore dhe pesha sdo ketë rëndësi pasi organizmi tuaj do të jetë në mirëfunksionim të plotë me në qendër zemrën e shëndetëshme.

Peshim të mbarë!

Leave a comment