
Ne e përfytyrojmë veten si qënie të përbërë nga kocka, muskuj e material organik solid! Por jo, realisht jemi qënie delikate të lëngshme ku uji na nevojitet njëlloj si ju nevojitet dhe peshqve për të jetuar.
Uji përbën rreth 60% të peshës trupore tek njeriu. Në qoftë se pesha trupore është 65 kg atëhere 39 kg nga këto janë ujë, pra masa e lëngshme ze volumin kryesor në trup. Uji në strukturën trupore përbën:
- Kocka: 22% ujë
- Inde: 25% ujë
- Qelizat muskulare: 75% ujë
- Gjaku: 83% ujë.
Volumi i ujit në individë të ndryshëm nuk është i njëtë. Volumi i ujit është më i lartë kur masa muskulare e individit është e lartë e masa dhjamore e vogël dhe anasjelltas sa më e madhe masa dhjamore e individit dhe më e ulët masa muskulare aq më i ulët volumi i ujit në trup.
Bazuar në kjo gjendje peshoret bioelektrike (BIA) matin përqindjen e masës dhjamore (BF) duke lëshuar në trupin tuaj rrymë elektrike e cila përcillet lehtë në ujë.
Gjithë kjo sasi e madhe uji që ne mbajmë shërben për mirëfunksionimin e sistemit trupor në shumë proçese jetike.
- ROLI I UJIT NË TRUP.
Uji në trup shërben si tretës i proteinave dhe enzimave dhe transportues i nutrientëve brenda në qelizë dhe nxjerrjen e toksinave jashtë saj. Efekti tretës dhe transportues i ujit lidhet me ndihmën që jep për rënien nga pesha.
Uji është lubrifikues i nyjeve të kockave dhe amortizues i shtypjeve dhe goditjeve mekanike që pësojmë në aktivitetin e përditshëm.
Funksion amortizues i ujit është thelbësor për sytë dhe shtyllën kurrizore. Gjithashtu uji që rrethon fetusin në barkun e nënës shërben për ta mbrojtur fëmijën nga forcat shtytëse që krijohen.
Uji është regullator i temperaturës të trupit. Nëpërmjet djersitjes uji del nga poret dhe qëndron mbi lëkurë duke ndihmuar në ulje të temperaturës trupore.
Pirja e ujit është jetike për faktin se uji është i pasur me mineralet fluorid, kalcium, magnesium etj.
- SASIA DITORE E UJIT, HIDRATIMI.
Mbi sasinë ditore të ujit që duhet të konsumoni mund të gjeni lehtë rekomandime të përgjithshme të cilat japin sasinë e ujit të ndarë në gota. Duke pasur parasysh se secili nga ne është unik (për më tepër lexo: Faktorët Pengues) dhe gjithashtu aktiviteti dhe dieta ushqimore ndryshon nga njëri tek tjetri formula e mëposhtme ju ndihmon të përcaktoni sasinë tuaj ditore të konsumit të ujit në ditë.
Pesha trupore kg x 0,03 = litra ujë/ditë
Shembull: 65 kg x 0,03 = 1,95 litra ujë/ditë
Kjo sasi është e rekomanduar për individë që nuk kryejnë aktivitet fizik. Në qoftë se do të marrim në konsideratë frekuentuesit e palestrave, sportistët amatorë apo profesionistë atëhere sasia e konsumit të ujit rritet.
Pesha trupore kg x 0,04 = litra ujë/ditë
Shembull: 65 kg x 0,04 = 2,6 litra ujë/ditë.
- HIDRATIMI GJATË AKTIVITETIT FIZIK.
Performanca fizike do të rritet në qoftë se hidratimi do të kryhet i rregullt.
30 minuta para seancës stërvitore pini rreth 500 ml ujë. Gjatë seancës stërvitore pini 250 ml ujë çdo 15 minuta. Mbas seancës stërvitore pini ujë rregullisht duke vazhduar të plotësoni nevojën ditore individuale.
- DEHIDRATIMI.
Të gjithë kemi jetuar eksperiencën e etjes për ujë dhe mungesën e energjisë që shoqëron etjen. Dehidratimi mund të shkaktojë pasoja të rënda e të menjëherëshme në organizmin tonë.
Është më e lehtë të pësosh dehidratim në dimër se sa gjatë verës, kjo për arsye sepse trupi duke u përballur me temperaturë të ftohtë, ndjesia e etjes (osmoreceptorët ndodhen në tru) është shumë e vogël.
Dehidratimi gjatë dimrit shkaktohet në mënyrë graduale duke bërë që të mendojmë se mungesa e energjisë po zhvillohet nga faktorë të tjerë dhe harrojmë lëngun jetik, ujin.
1-2 % e rënies të volumit të ujit në trupin tonë shkakton debolesë trupore të menjëherëshme.
- KONKLUZIONE DHE REKOMANDIME.
Përdor formulat e mësipërme dhe pij sasinë e ujit të nevojshëm për proçesin jetik të trupit.
Rreth 1 litër ujë në ditë organizmi e prodhon nga ushqimi që hamë.
Ushqimi natyral si frutat e perimet kanë sasi të bollshme uji ndryshe nga ushqimet e proçesuara me përmbajtje të lartë sheqeri dhe yndyre. Pijet e gazuara dhe lëngjet e frutave të ambalazhuara nuk konsiderohen si hidratues përkundrazi, sasia e lartë e sheqerit dhe kimikateve ngjyruese dhe konservuese në to shkaktojnë dehidratim. Asnjë pije nuk zvendëson ujin. Asnjëherë mos prisni të ndjeni etje për të pirë ujë.
Ne jemi Ujë!
