

Simptomat e Anemisë.
Performancë fizike e ulët, debolesë, djersitje pa shkak, ethe, marrje mendsh, dhimbje koke, rrahje të shpeshta të zemrës, ndjesi të përzieri nga ushqimi, oreksi mungon, pagjumësi dhe lëkura merr ngjyrën e verdhë! Këto janë shenjat e anemisë e shkaktuar kryesisht nga mungesa e mineralit hekur në trupin tuaj.
Anemia është një nga gjendjet shëndetësore më të përhapura. Referuar Organizatës Botërore të Shëndetit (WHO) në raportin e vitit 2002-2005 rastet e anemisë shfaqeshin në 95% të popullsisë globale duke sjellë deri në ditët e sotme sfidën midis njeriut dhe anemisë. Shkaku kryesor është keq ushqyerja. 75% e popullsisë të prekur nga anemia përbëhet nga femra (për arsye të humbjes të gjakut nga cilki menstrual dhe shtatëzania).
Funksioni i Hekurit.
Minerali hekur është element kryesor për prodhimin e gjakut. 70% e sasisë të hekurit në trup gjendet në rruazat e kuqe të gjakut (hemoglobinë) dhe në qelizat muskulare (mioglobinë). Hemoglobina e asistuar nga minerali hekur transporton oksigjen në trupin tonë nga mushkëria në inde. Këtu situata del e qartë: Mangësi në mineralin hekur sjell ulje të numrit të rruazave të kuqe dhe rënie të qarkullimit të sasisë të oksigjenit në trup.
Anemia në Fitnes:
Komuniteti i fitnesit është i prekur nga gjendja anemike për shkak të intensitetit të lartë në aktivitetin fizik! Aktiviteti fizik rrit qarkullimin e gjakut dhe muskujt kërkojnë sasi më të madh të oksigjenit. Kjo na bën të kalojmë gjendje anemike të shpeshta deri edhe gjendje kronike kur duhet ti drejtohemi mjekut. Individët që stërviten rregullisht dhe sidomos kush preferon stërvitjen rezistente me pesha ka mundësinë më të madhe të kalojë në gjendje anemike serioze pasi simptomat që anemia shfaq i bëjnë të besojnë se po ju ndodh nga mbitrajnimi ose volumi i madh stërvitor që performojnë në programet e tyre. Për këta individë indikacioni kryesor i gjendjes anemike është jo vetëm rënia drastike e performancës fizike por edhe ngjyra e verdhë e lëkurës, rrahjet e zemrës të shpeshta mbi normalen të shoqëruara me dhimbje koke dhe marrje fryme. Gjithashtu ndjesia e të ftohtit në duar e këmbë është simptomë e anemisë duke i detyruar të ndalojnë aktivitetin fizik.
Suplementet kundër Anemisë.
Zakonisht rekomandohet që anemikët të marrin suplement të mineralit hekur, vitaminë B12 dhe vitaminë C që shërben për absorbim më të shpejtë të hekurit nga organizmi. Suplementimi ndihmon në rritje të shpejtë të niveleve të hekurit në trup. Nga ana tjetër suplementi nuk mund të përdoret për një kohë të gjatë pasi sasia e hekurit e marrë në këtë formë bëhet toksike për trupin derisa shkakton helmim. Kontrrolli mjekësor duhet të jetë shumë i rregullt kur kërkohet suplementim me hekur për kohë të gjatë.
Ushqimet kundër Anemisë.
Pak më lart përmendëm si shkakun kryesor të anemisë keq ushqyerjen. Me keq ushqyerje nuk duhet të kuptoni sasinë e pakët të ushqimit por llojin e ushqimit që është në menunë tuaj ditore. Ushqimi ky burim energjie dhe përzgjedhja e tij është medikamenti më i mirë që parandalon dhe kuron aneminë:
Ushqime të pasura me hekur:
- Mish i kuq (viç, derr, qengj.)
- Të brendëshme (mëlçi, veshka, etj.)
- Mish i bardhë (pulë, gjeldeti.)
- Vezë (nga pula që ushqehen në gjendje të lirë jo në pulari.)
- Fruta deti (peshk, karkaleca deti, midhje, sepie, kallamar, ton, etj.)
- Bishtajore (fasule, bizele, etj)
- Perimet (spinaq, lakër e kuqe, patëllxhan etj)
- Fruta të thara (oshafe)
- Qiqra.
- Farat e susamit.
Që sistemi trupor të ketë absorbim të lehtë të hekurit duhet vitamina C.
Ushqime të pasura me vitaminë C.
- Brokoli,
- Qitro (mos e përdor nëse merr medikamente për zemrën),
- Portokalle,
- Kiwi,
- Mandarina,
- Luleshtrydhe,
- Speca.
Gjithashtu frutat e mësipërme përmbajnë vitaminën B12 që ndihmon në metabolizmin e hekurit.
Ushqimet që pengojnë absorbimin e hekurit.
Në qoftë se po mbani një dietë kundër anemisë atëhere në regjimin tuaj ushqimor nuk duhet të përdorni kafe dhe çaj të cilat pengojnë deri 60% absorbimin e hekurit nga organizmi. Kakaoja dhe çokollata e zezë nuk duhet të konsumohen. Produktet e bulmetit, drithërat, farat, frutat e thata gjithashtu mund ti konsumoni por vetëm mbas disa orësh që keni konsumuar ushqimet e pasura me hekur.
Ushqehuni shëndetshëm dhe parandaloni aneminë. Rezultati është Jetë e Shëndetëshme dhe Performancë Fizike e niveleve olimpike.
