Për të zhvilluar një bel “të hollë” do të gjeni mijëra artikuj e publikime mbi mënyrat dhe ushtrimet që duhet të ndiqni. Të gjitha fokusohen tek ushtrimet abdominale! Në qoftë se bazohemi tek anatomia, trupi tonë nuk ndërtohet vetëm nga muskuj por edhe nga levat ku muskujt mbështeten, kockat. Skeleti njerëzor formohet nga kockat dhe kartilazh i fortë duke krijuar një strukturë solide ku qënia tonë mbështetet.
A mundemi që muskulit ti japim formën që dëshirojmë? Po, nëpërmjet fitnesit.
A mundemi ta bëjmë këtë transformim me kockat? Jo, shumë të forta për t’ju ndryshuar formë.
Kthehemi tek qëllimi i shkrimit të artikullit “bel i hollë” dhe për herë të fundit i rikthehemi anatomisë!
Shikojmë se rrotull kraharorit qëndrojnë brinjët të cilat marrin formën e një kafazi. Më poshtë kocka e mesit tonë është pelvis ose kocka e legenit ku mbështeten kockat e këllkut.
Besoj se tani është e qartë! Nuk mund të jetë bel i hollë në një trup ku skeleti ofron brinjë dhe pelvis të gjerë! Këtë faktor që lidhet me gjenetikën e gjejmë në shumë individë.
Beli i hollë është simbol i elegancës. Në shekullin e XVI korseja për shtrëngimin dhe ngushtimin e belit morri përdorim masiv kryesisht nga aristokracia franceze. Edhe pse sot dihen pasojat negative të përdorimit të korseve që nga shkaktimi i asfiksisë dhe dehidratimit deri tek shtrembërim brinjësh e dëmtim organesh përsëri në palestra shikon masivisht individë që performojnë me “korse fitnesi moderne”.
Po a ka një zgjidhje për të apasionuarit e trupit simetrik dhe elegant ku gjenetika nuk ofron mundësi të një beli të hollë? Po, të zhvillojmë muskujt e tjerë duke i dhënë vizualisht belit pamjen e hollë.
Muskujt që duhen zhvilluar dhe ju duhet të fokusoheni janë:
Shpatullat, deltoidët.

Kurrizi, pjesa e mes kurrizit dhe pjesa e poshtme e tij.
Glutealët ose muskujt e vitheve

Këmbët: pjesa e sipërme përpara (kuadriceps) dhe pjesa e mbrapme (biceps femuris).

Duke ditur grupmuskujt që duhet të zhvilloni ju mund të zgjidhni edhe ushtrime të tjera për të performuar.
Stërvitje të mbarë!



