
Suplementet janë produktet të cilat qëndrojnë lidhur ngushtë me palestrën. Aq e ngushtë është bërë kjo lidhje sa në qoftë se ka një përgjigje pohuese mbas pyetjes të parë: A shkon në palestër? pyetja e dytë është: çfarë suplement po merr?
Kjo lidhje është krijuar falë marketingut agresiv që kompanitë prodhuese të suplementeve zhvillojnë. Mbrapa kutive shumëngjyrëshë ku shfaqen copa çokollate apo fruta egzotike qëndron një fizik perfekt tek i cili çdokush shikon atë çka do dëshironte të ishte. Natyrshëm informacioni që truri përpunon është: Ky suplement të ndihmon të kesh këtë trup nëse e përdor! Po a funksionon egzaktësisht siç na reklamon industria e suplementeve që qarkullon në vit shuma monetare prej bilionash? Jo. A ndihmojnë suplementet për të rritur performancën? Po. 1% deri 5% e performancës tuaj do të ketë rritje falë një suplementi “shumë” cilësor. Maksimumi i rritjes të performancës arrihet në individë aktivë të nivelit të avancuar. Siç e shihni suplementi ofron një përqindje të vogël në rritje të performancës! Po pjesa tjetër nga vjen? Ushqimi. Dieta e balancuar ushqimore është burimi absolut i energjisë tuaj. Vetë nga fjala suplementi është shtesë që i bëhet dietës ushqimore.
Frekuentimi i palestrave po shoqërohet gjithmonë e më shumë nga fenomeni i rekomandimit të suplementeve nga instruktorët e palestrave. Por ku bazohen instruktorët në rekomandimin që ju japin? Mbase instruktori dhe ju keni zhvilluar një bashkëbisedim të gjatë pyetje përgjigje dhe mbas vlerësimit të detajuar të dietës dhe alergjive tuaja ushqimore arrin në konkluzionin që duhet të merrni suplemente? Apo thjesht sepse suplementi ndihmon? Ne shumicën e rasteve përgjigja është e thjeshtë: shitja e suplementeve që ndodhen në bar vitrinën me qëllim fitimin monetar.
Megjithatë në qoftë se instruktori/ instruktorja tuaj do të jenë vërtet hetues të mirë të mangësive tuaja ushqimore dhe llogjika e tyre ju bind, atëhere merrni në konsideratë këshillën për të përdorur suplemente. Këtu kemi një problem te vogël! Paratë! Blerja e suplementeve është relativisht e kushtueshme. Produkti tipik proteinë kushton diku tek 6500 deri 9000 lek/kuti. Supozojmë që doni të investoni në arritjen e objektivave të dëshiruara. Për këtë duhet të keni parasysh që shpenzimi në blerje suplementesh duhet të konsistojë sipas nivelit tuaj të fitnesit.
–Niveli Fillestar: merrni kapsula omega 3 ose siç njihet ndryshe vaj peshku. Multivitamina; këtu bëni kujdes pasi multivitaminat janë të ndara sipas gjinisë: meshkuj, femra. Kjo për arsye të dozës të ndryshme të mineralit hekur në to që për femrat është më i lartë. Merrni aminoacidin L-Glutaminë për ripërtëritje të shpejtë të muskujve.
–Niveli Mesatar: merrni suplementet e përmendura më lart dhe mund të merrni kafeinë, zinxhirin e aminoacideve leucinë, isoleucinë, valinë ose shkurt BCAA, kreatinë hidrokloride C-Hcl dhe proteinë! Kujdes me suplementin proteinë: nëse jeni jo tolerant ndaj laktozës shmangeni proteinën me bazë shtazore (whey protein) dhe përdorni proteine bimore (plants protein) si p.sh proteinë soje. Kur jeni mbipeshë dhe keni arritur nivelin mesatar të performancës por pesha po bie me ritme te ulta (1-2 kg/muaj) atëhere perdorimi i suplementit CLA (Conjugated Linolenic Acid) ju ndihmon.
–Niveli i Avancuar: suplementet e përmendura në 2 grupet e para dhe mund të shtoni aminoacidin citrulinë L-Citrulline për nxitje të qarkullimit të gjakut. Gjithashtu përdorimi i aminoacidit karnitinë L-Carnitine ju ndihmon në performancë dhe ulje të përqindjes të dhjamit.
Të gjitha suplementet kërkojnë të shoqërohen me sasi të konsiderueshme uji që të jetë më e lehtë të hyjnë në sistemin tonë. Megjithatë një pjesë e vogël e dozës të suplementeve absorbohet. Trupi është një mekanizëm shumë i zgjuar i cili përdor melçinë dhe veshkat për të filtruar dhe përzgjedhur elementët natyralë dhe jo natyralë.
Nga sa lexuat më lart besoj se lehtësisht mund të nxirrni konkluzionet! Kryesorja është që kur vendosni të ndiqni një jetë aktive dhe të frekuentoni palestrën pavarësisht nivelit tuaj të fitnesit mos u bazoni tek suplementet për të rritur performancën tuaj por tek dieta e balancuar ushqimore dhe programi stërvitor. Megjithatë nëse portofoli tuaj është i shëndetshëm besoj se ky shkrim ju ndihmon të zgjidhni suplementet e duhura.
Stërvitje të mbarë

